Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, është ëndrra e presidentit të Interit, Massimo Moratti.
Sipas ‘Corriere dello Sport’, padroni zikaltër kërkon që Guardiola të jetë trajneri i ardhshëm i Interit edhe pse e di që kjo gjë do të jetë e vështirë.
Guardiola ka një kontratë deri në vitin 2012 me Barcelonën dhe Moratti ka dashur që të ishte ai zëvendësuesi i Mourinhos kur portugezi po afrohej me Real Madridin dhe tani kërkon që të jetë zëvendësuesi i trajnerit aktual të Interit, Rafael Benitez.
Problemi i vetëm (dhe pothuajse i pazgjidhshëm) që Guardiola të ulet në stolin e Interit nuk është vetëm kontrata e tij, por edhe konkurrenca e fortë nga ana e klubit anglez, Chelsea.
Pronari rus i londinezëve kërkon të transferojë “modelin Barcelona” në “Stamford Bridge”. Hapi i parë për këtë kanë qenë kontaktet me Txiki Beguiristain, në mënyrë që drejtori sportiv i Barcelonës të bëjë këtë detyrë tek Chelsea.
Më pas, Abramovich mund të fillojë punën për transferimin në Londër të trajnerit katalanas, Pep Guardiola.