Mirko Vucinic ka shënuar gol në minutën e dytë shtesë të ndeshjes për t’i dhënë fitoren e parë të sezonit Romës në derbin e javës së pestë të Serie A përballë kampionit në fuqi dhe liderit të tabelës, Interit.
Ndeshja e zhvilluar në Olimpiko të Romës solli raste të rralla, pasi të dy ekipet ishin në radhë të parë të përqendruara në mbrojtje dhe tentonin të shënojnë me anë të kundërsulmeve.
Dejan Stankovic ishte forca shtytëse e Interit, duke krijuar disa raste për sulmuesit, duke dërguar një goditje në drejtim të portierit të Romës, Bogdan Lobont, dhe duke goditur shtyllën me një tentim tjetër.
Edhe Roma pati disa raste pjesërisht të nxitura nga Jeremy Menez, por me Marco Borriello e Francesco Totti që dështuan të gjejnë portën e Julio Cesar.
Në fund të takimit mjaft të tensionuar dhe të lodhshëm, Vucinic, i cili u fut në lojë në 15 minutat e fundit të ndeshjes duke zëvendësuar Francesco Tottin, shfrytëzoi një asistim të Daniele De Rossit, për të nxjerrë fitoren për Romën dhe për t’ia shkaktuar Interit humbjen e parë të sezonit në Serie A.
Rezultati do të thotë se Roma do të zhvendoset nga fundi i tabelës në pozitën e 14-të, derisa Interi do të qëndrojë në maje, së paku deri nesër kur Chievo ose Brescia mund të ngjiten në maje nëse shënojnë fitore.