Ylli i Real Madridit, Cristiano Ronaldo, i cili që 16 muaj nuk ka shënuar asnjë gol për kombëtaren e tij, Portugalinë, thotë se nuk e ndjen presionin e realizimit në Kampionatin botëror.
“Golat, sikurse me ka thënë dikur një legjendë e futbollit, janë sikurse keçapi. Ndonjëherë, edhe pse përpiqeni shumë, ato nuk vinë, por kurë vinë, vinë të gjithë në të njëjtën kohë”, tha Ronaldo gjatë një konference për shtyp të hënën.
Portugalia do të përballet me Bregun e Fildishtë në ndeshjen e parë të grupit G të martën. Mirëpo, ish ylli i Manchester United, Ronaldo (25), insiston se ai ende nuk e ka vendosur ndonjë objektiv personal të golave.
“Unë e jap më të mirën, mirëpo nuk dëshiroj që të vë si objektiv të jem golashënuesi më i mirë apo lojtari më i mirë i garës”, deklaroi ai.
Ronaldo ka komentuar mungesën e sulmuesit kryesor të Bregut të Fildishtë, Didier Drogba, i cili ende nuk është rikuperuar nga fraktura në dorën e djathtë.
“Nuk më takon mua të brengosem. E dimë të gjithë se ai është futbollist i madh, por pavarësisht mungesës së tij, ata do të paraqiten me njëmbëdhjetë futbollistë e jo me dhjetë, andaj duhet të përqendrohemi në lojën tonë”, shtoi ai.
Instrumenti tradicional frymor i Afrikës së Jugut, i quajtur vuvuzela, ka qenë hit i tifozëve deri më tani, mirëpo zhurma e saj ngjan në një turmë të bletëve dhe volumi i lartë u pengon futbollistëve për të komunikuar në fushë.
“Është vështirë të përqendrohemi në fushë. Shumë futbollistëve nuk u pëlqejnë, por ne duhet të mësohemi me to. Ekipet nuk kanë bërë asgjë tjetër përveç kritikimit të vuvuzelave, por ju duhet t’i respektoni ato. Vuvuzela vështirë se i pëlqen dikujt, por ka të atillë që u pëlqen t’u fryjnë instrumenteve dhe të krijojnë një zhurmë të tillë”, u shpreh Ronaldo.
Përveç vuvuzelave, Ronaldo ka thënë se është duke u mësuar edhe me topin e shumëkritikuar të Kampionatit botëror.
“Tani jam mësuar me të, më mirë se para dy javëve. Nuk mendoj se do të jetë problem. Kam stërvitur mjaft me këtë top dhe jam mësuar me të. Jam i sigurt se driblimet, goditjet dhe harkimet do të jenë në rregull”. Portugalia gjendet në Grupin G së bashku me Brazilin, Bregun e Fildishtë dhe Korenë e Veriut.